Auditi për paratë ruse në PD, Spaho: Do të thërrasim Lulzim Bashën, shpjegimet e tij nuk përputhen

Nga A2 CNN
26 Shtator 2022, 20:36 | Politikë
Auditi për paratë ruse në PD, Spaho: Do të thërrasim

Deputeti demokrat Edmond Spaho e cilësoi një aferë personale të Lulzim Bashës përdorimin e parave ruse për lobing.

Ndërsa foli në Debat në A2 CNN për grupin e auditit që do të hetojë këto pretendime, Spaho u shpreh se ish kreu i PD, Lulzim Basha do të ftohet të japë shpjegime për këtë çështje, pasi shumë nga deklarimet e tij të mëparshme nuk përputhen.

“Ne sot morëm në shqyrtim në Kryesinë e PD ngritjen e një grupi pune që do të bëjë një hetim të brendshëm të cfarë ka ndodhur me financimin nga rusët në PD. Ne kemi shprehur që në PD nuk kanë hyrë para nga rusët dhe burime të huaja. Afera për të cilën është diskutuar kohët e fundit, por edhe më përpara se të dilte, është personale e Lulzim Bashës. Paratë janë marrë prej tij pa njoftuar asnjë organ drejtues të PD dhe këta e ka treguar një hetim nga prokuroria që u mbyll me ndërhyrjen e Ramës. Faktet tregojnë që pagesat i janë bërë kompanisë. Do të shohim dokumentacionin që është në PD, por nuk ka dokumente dhe as regjistrime. Do marrim dëshmitë e disa njerëzve si Ilir Dervishi dhe Arben Ristanin. Madje do të thërrasim dhe Lulzim Bashën. Ne do ta ftojmë pastaj është në vendimmarrjen e tij, por ka së paku një detyrim moral për të thënë të vërtetën se nga kanë ardhur këto para dhe si janë përdorur. Ai ka dhënë shumë shpjegime që nuk përputhen me njëri tjetrin”, tha Spaho.

Megjithatë, deputeti demokrat ftoi sërish SPAK për të hetuar çështjen pasi ata që kanë shkelur ligjin duhet të mbajnë përgjegjësi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos