“Berisha të lëshojë territor për kandidaturë të besueshme opozitare në zgjedhjet 2023”, Duka: Duhen primare të hapura, ose sondazh

Nga A2 CNN
26 Shtator 2022, 13:46 | Politikë
“Berisha të lëshojë territor për kandidaturë

Agron Duka i qëndron mendimit të tij për të garuar si forcë politike e vetme në siglën e PAA-së në zgjedhjet lokale të 2023-it, sa u takon listave për këshilltarë, por do të qëndrojë në koalicion.

“Ne prapë vetëm do të dalim, nuk tentojmë të kemi ndonjë kandidaturë për kryetar bashkie, do të dalim vetëm me listat tona për këshilltarë. Duam të dalim me siglën e PAA në të gjitha qarqet. Kjo nuk do të thotë që nuk do të bashkëpunojmë”.

Kreu i PAA këmbëngul në qëndrimin e tij se nëse opozita nuk del vetëm me një kandidaturë, shanset për të fituar janë shumë të vogla

“Nëse (opozita) nuk dalim me një kandidaturë të vetme të mbështetur nga gjithë opozita shanset i kemi shumë të vogla. Ngul këmbë që dalja me dy kandidatura e bën shumë të vështirë që të fitohen zgjedhjet vendore, se ndahen votat”.

Ai shprehet skeptik për primaret e PD-së dhe sugjeron që zgjidhja do të ishin primaret e hapura ose përmes sondazhit nga kompani e huaj. Sipas tij, e gjithë baza kërkon bashkimin në një front të vetëm opozitar.

“Nga ana tjetër, konseguenca ime ndaj opozitës është treguar vazhdimisht. Nëse do të bënim primare të hapura, jo si të PD-së, ose sondazh me një kompani të huaj. Problemi është që ne nuk kemi luksin të humbim asnjë. Unë nuk kandidoj, por për shëmbull, si mund të kandidoj unë me Igli Carën në shtëpinë e vet? Të bëhen ose primare të hapura ose ata që kandidojnë të bëhet sondazh, dhe ai që fiton të dalë kandidat. Është konsensus më i gjerë kështu. Po thërrasin të gjithë baza, po bien kambanat e alarmit, po thërret baza poshtë jemi një hap pas, të gjithë duhet të lëshojnë, duhet të krijohet një front opozitar, është me primare të hapura ose sondazhe me një kompani të huaj prestigjioze, që është larg ndikimeve. Nëse dalim me dy kandidatura dhe mazhoranca fiton me 80% të bashkive çfarë do të themi? Ne duhet të kthejmë jetën politke në normalitet”.

Në kushtet kur mazhoranca ka çimentuar pushtetin e saj, sipas Dukës, Berisha dhe Meta duhet të lëshojnë terren për të gjetur një kandidaturë të besueshme për të gjithë popullin opozitar, në mënyrë që të rikthehet normaliteti në politikë.

“Në Durrës nëse dilet me një kandidaturë ka shanse, ndoshta edhe në Tiranë. Kriteri i parë është një njeri që ngjall besim. Unë mendoj që të gjitha partitë të krijojnë një front opozitar vetëm për zgjedhjet vendore të zgjedhë njerëz me formim të djathtë, por që nuk kanë shfaqur mbështetje ndaj një personi. Nëse zgjidhet një grup i tillë nuk është e pamundur. Edhe Berisha me Metën që janë kuaj politikë të fortë për betejën elektorale, do të bashkohen dhe nuk do të pyesin asnjë, unë e paragjykoj që zgjedhjet janë të humbura, por unë ata do të mbështes. Duhet patjetër këta dy të mëdhenjtë, sidomos Berisha, të lëshojë terrenin për të dalë kandidatura më e besueshme e popullit opozitar, jo nga një pjesë e opozitës apo partia më e madhe e opozitës, ka nevojë edhe për partitë e vogla. Janë 60 bashki në dorë të mazhorancës e gjithë administrata në dorë të mazhorancës po bëhen të pamposhtur me duart tona. Duhet të mendojmë si të kthejmë në normalitet jetën politike që të mos ketë mazhorancë absolute, e cila kthehet në autoritare dhe që të bëhet kjo duhet lëshuar pushteti individual, duke gjetur kandidatura më të besueshme”.  

Utopike e quan daljen e një kandidature nga radhët e PAA-së, por thekson që të gjithë emrat duhen hedhur në tavolinë dhe të fitojë më i miri.

“Nëse do të kemi një kandiaturë të përbashkët do motivonim shumë, por do të vëmë theksin për të luftuar për këshillin bashkiak. Ne nuk na ka thirrur njeri në tavolinë dhe është utopike që të mendojmë se do të fitojmë. Por nga Ura Vajgurore, Roskoveci, Lezha, Saranda kanë paraqitur interes. T'i hedhim në tavolinë dhe të fitojë më i miri. Jo me emërime, primaret brenda llojit janë me emërime. PS-ja i ka ndezur motorët, kurse ne po hahemi përmes vedit dhe kjo po na gërryen. Që protestat të jenë të suksesshme, duhet koordinim i opozitës”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos