Berisha: Rama avokat i Vuçiçit, kundër Albin Kurtit. Kërkon të amnistojë krimet serbe në Kosovë

Nga A2 CNN
26 Shtator 2022, 17:53 | Politikë
Berisha: Rama avokat i Vuçiçit, kundër Albin Kurtit.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi Kryeminsitrin Edi Rama se mbështet Presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, në dëm të interesave të Kosovës.

“Siç ndiqni situatën, Edi Rama, çdo javë, muaj, zhytet gjithnjë e më thellë në vasalitet të plotë ndaj presidentit serbomadh Aleksandër Vuçiç dhe Beogradit. Në rast se ju merrni diskurin e tij të muajit të fundit, në këtë diskur njeriu më të mbrojtur, më të cituar në rajon, Europë, Botë në fjalimet e Ramës do të gjeni Vuçiçin. Ky vasal i tij kalon nga samiti në samit, nga takimi në takim, duke mbrojtur një Putin të vogël në rajon, duke i dhënë këshilla Europës dhe botës, duke justifikuar plotësisht rreshtimin e Vuçiçit me Rusinë dhe kundër sanksioneve të BE-së, duke i paraqitur kërkesën për zbatimin e sanksioneve nga Vuçiçi si një kërkesë të rrezikshme për paqen e rajonin”, tha Berisha gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar.

“E vërteta është se prapa mbrojtjes që i bën Rama aksit Moskë-Beograd, qëndron vasaliteti i tij ndaj Beogradit dhe indirekt ndaj Moskës. Qëndron shkelmimi që ai u bën interesave kombëtare të shqiptarëve”.

Berisha tha se Rama pranon të kundërshtojë publikisht Albin Kurtin, ndërsa qëndron krah Vuçiçit. “Edi Rama në mënyrë antishqiptare dhe ç’njerëzore, u thotë shqiptarëve dhe botës se unë nuk bie dakord me Albin Kurtin për qëndrimin ndaj të shkuarës. Nuk bie dakord me Vuçiçin për njohjen e Kosovës, por nuk bie dakord me Albin Kurtin për qëndrimin ndaj të shkuarës. Kërkesën që ai i drejton Vuçiçit publikisht, ndoshta dhe privatisht, për njohjen e Kosovës e ka të miratuar plotësisht nga padroni i tij”, tha Berisha.

“Në fakt, Vuçiçi nuk mërzitet ndonjëherë nga kjo kërkesë, natyrisht ai e shumëzon me zero dhe këtë që ai e shumëzon me zero kërkesën për njohjen e Kosovës, e ka të qartë çdo qytetar i Kosovës, shqiptar, edhe politikanët, por edhe serbët. Me këtë kërkesë, alibi, ai mbulon të gjitha shërbimet, avokatinë që i bën Beogradit, aksit Moskë-Beograd, të gjithë qëndrimin e tij anti shqiptar. Duke besuar, se vendosur si maskë kërkesën publike ndaj Vuçiçit për njohjen e Kosovës, do të mund ta përdorë për të mbuluar shërbimet e tij ndaj Beogradit, justifikimin e mos zbatimit të sanksioneve nga Beogradi, justifikimin e shndërrimit këto kohë të Serbisë në prapavijë shumë të rëndësishme të Rusisë, defakto ai mbron me ‘Ballkanin e Hapur’, pikërisht këtë bosht, këtë politikë. Edi Rama në qëndrimin ndaj Aleksandër Vuçiç dhe Beogradit, shkelmon mbi gjakun e dhjetëra mijëra shqiptarëve vetëm në luftën e fundit. Çfarë je ti zotëri, na thuaj, që kërkon të arkivosh gjenocidin dhe krimet e luftës që ka kryer Serbia në Kosovë. Çfarë autoriteti ke ti përveç skllavërisë ndaj Vuçiçit. Si mund ta bësh një gjë të tillë. Shpjegojua shqiptarëve, janë 1500 fëmijë të djegur të gjallë, të vrarë, të therur në luftën e fundit”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos