Autobotet shesin ujë të pasigurt dhe pa kupon tatimor

Nga A2 CNN
16 Shtator 2019, 14:21 | Aktualitet
Autobotet shesin ujë të pasigurt dhe pa kupon tatimor

Tregtia e ujit përmes autoboteve është rrezik real për popullatën, por edhe një amulli ligjore. Edhe pse shume institucione nuk e njohin dhe as e kontrollojnë këtë biznes, përdorues të boteve tregojnë se punojnë me faturë tatimore. Madje, mbi 70 biznese janë të regjistruar për tregtimin e ujit me autobote, edhe pse asnjëherë nuk japin kupon tatimor kur shesin ujin.

E ndërsa ky aktivitet bëhet hapur rrugëve dhe lagjeve të Tiranës, një vendim i Qeveria në 25 maj 2016 për cilësinë e ujit të pijshëm, nuk e njeh tregtimin e ujit përmes autoboteve. Në shtojcën 8 të Vendimit të Këshillit të Ministrave thuhet se furnizimi i popullatës përmes autoboteve bëhet vetëm në situata emergjente, nuk shitet por shpërndahet dhe vetëm në këto raste ndërhyjnë institucionet shëndetësore.

“Furnizimi i popullatës me ujë të transportuar me autobote përdoret në raste emergjence ose në disa situata kur kjo mënyrë furnizimi është e vetmja mundësi e vlefshme. Në raste të transportit të ujit me autobote përparësi ka sigurimi i mbrojtjes së shëndetit publik. Subjektet e autorizuara të cilat planifikojnë të transportojnë ujë të pijshëm me autobote, fillimisht kontaktojnë me strukturat e ISSH-së për pajisjen me aktmiratim higjieno-sanitar për autobotin”

Shtojca nr. 8, VKM i datës 25 maj 2016

Gjatë sezonit turistik, Qeveria u ngrit në këmbë kundër informalitetit në plazhe, por dhe që asnjë i huaj të mos ikte qejfmbetur nga Shqipëria. Të gjitha institucionet u mobilizuan në aksione dhe qëndrime publike, ku më e fundit ishte ajo e drejtorit kundër krimit ekonomik, Lutfi Minxhozi.

Por për një biznes miliarda lekësh që tregton hapur ujë të pasigurt, askush nuk vihet në lëvizje. Vetëm në raste epidemish, apo problemesh të tjera, institucionet përpiqen të fshehin situatat ose ia hedhin përgjegjësitë njëri-tjetrit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos