
Policia e Lezhës ka sekuestruar një arsenal armësh dhe municionesh në banesën e një 43-vjeçari të dënuar në fshatin Sanxhak të këtij qarku. Sipas Policisë zbulimi i tyre u bë pas bashkëpunimit me qytetarët dhe informacioneve të marra në rrugë operative.
Gjatë kontrollit të ushtruar në oborrin e banesës, shërbimet e Policisë kanë gjetur të fshehura në tokë; 1 mitraloz, 1 pushkë, 11 granata, 30 ndezës granate dhe 55 fishekë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
“Shërbimet e Policisë Kurbin, në bashkëpunim me specialistët e Njësisë Antieksploziv, mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative se në fshatin Sanxhak, Kurbin, përreth banesës së shtetasit K. P., 43 vjeç, kishte të fshehura armë zjarri dhe municion luftarak, menjëherë kanë organizuar punën për gjetjen e tyre”- thuhet në njoftimin e Policisë.
Ndërkohë 43-vjeçari me iniciale K. P. nga Sanxhaku i Kurbin, aktualisht po vuan dënimin në burgun e Shënkollit për dhunë në familje. (A2 Televizion)