
Një person me profil të lartë politik, me iniciale I.M., ka rezultuar pjesë e dosjeve sekrete të ish-Sigurimit të Shtetit.
Pa përmendur emra, Autoriteti i Dosjeve njoftoi se në dosjet e regjimit komunist kanë rezultuar disa persona, ndërsa në media u ngritën dyshimet se politikani i lartë me inicialet I.M., mund të ishte ish-Presidenti Ilir Meta.
Ish-zëdhënësi i Metës, tani bashkëpunëtor në Partinë e Lirisë, Tedi Blushi, reagoi duke i lënë Autoritetit barrën e proves.
“I bëjmë thirrje Autoritetit të Dosjeve të hapë që sot dhe të bëjë publike çdo dosje dhe informacion të Sigurimit të Shtetit dhe gjithçka tjetër, përfshirë edhe procesverbalet e organizatës së rinisë të asaj kohe”, shkroi Tedi Blushi në Facebook.
Sipas Autoritetit të Dosjeve, filtrat ligjorë të vendosur më shumë se dy dekada më parë nëpërmjet komisioneve të posaçme “Mezini” dhe “Bezhani”, kanë rezultuar të paefektshme, pasi disa persona nga të gjitha kahet e politikës kanë mundur ta kapërcejnë, ndonëse rezultojnë pjesë e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit.
Blushi ironizoi faktin se Autoriteti e publikoi njoftimin dhe ftesën për ndryshime ligjore një ditë pasi Meta u rikthye në politikë. Kryetarja e Autoritetit të Dosjeve, Genta Sula, kërkoi ndryshime ligjore edhe këtë vit, gjatë raportimit vjetor në Kuvend. (A2 Televizion)