
Kreu i grupit të PS-së, Taulant Balla doli në një konferencë për shtyp përpara gazetarëve pas djegies së raundit të tretë për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
Balla tha se opozita nuk propozoi asnjë emër konkret për kreun e ri të shtetit dhe shprehu angazhimin se mazhoranca do të jetë e hapur për dialog edhe në raundet e tjera deri në zgjedhjen e presidentit.
“Ne i qëndruam angazhimit për të pritur një propozim nga opozita në tri raundet e para, me shpresën se ajo do të merrte përgjegjësinë për të propozuar kandidatura në këtë proces. Nga ky moment, natyrshëm që nuk do ta lëmë vendin pa president, por do të propozojmë. Por ne do të dialogojmë me këdo që kërkon që të ndajë përgjegjësinë për zgjedhjen e presidentit. Në raundin e katërt dhe të pestë, kushtetuta ka përcaktuar një mekanizëm zhbllokues që askush të mos marrë peng procesin. Ne nuk kemi marrë asnjë propozim nga opozita. Nëse ajo ka menduar që të ketë një president që ta zgjedhë vetë, kjo nuk i ka shërbyer askujt”, u shpreh Balla. (A2 Televizion)