
Emërimi i një anëtari për Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e Sigurimit të Shtetit, ka risjellë përplasjet mes socialistëve dhe opozitës.
Partia Socialiste mbështeti fillimisht në komision kandidaturën e Simon Mirakës, por u akuzua nga Gazment Bardhi se po jepte miratim për një kandidat që kishte marrë edhe firmën e Sali Berishës.
Lidhur me debatin e krijuar, kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, u kërkoi demokratëve që të hiqnin firmën e Berishës nga mbështetja për zotin Miraka, në mënyrë që ai të marrë votat e tyre.
“Ne nuk kemi asgjë kundër zotit Miraka personalisht, por propozimi me 28 firma deputetësh ishte depozituar katran me bojë. Le të pastrohet propozimi nga boja e katranit dhe më pas të rivijë i pastër, sepse të kesh sot mbështetjen e Saliut është sot njësoj si të kishe dikur mbështetjen e Sigurimit të Shtetit, dy kategori anti-amerikane me të njëjtin ves të keq kundër demokracisë”, shkroi Balla në rrjetet sociale.
Për qëndrimin e tij, pati edhe një reagim të grupit parlamentar të PD, specifikisht nga grupimi i Enkelejd Alibeajt. “Asnjë nga deputetët e PD në Komisionin e Ligjeve nuk ka kundërshtuar kandidatin Simon Miraka, por kanë kundërshtuar faktin që ai ishte propozim i Sali Berishës dhe ishte i vetmi që çuditërisht u përzgjodh me votat e Edi Ramës. Në këtë rast është vënë në dukje standardi i dyfishtë i Partisë Socialiste. Revolta jonë ishte shprehje e faktit se me vota të deputetëve të PS u refuzuan pa asnjë shkak përfaqësues të denjë të të përndjekurve politik Marçel Hila, Skënder Vrioni, Gjergj Marku dhe Besim Ndregjoni, të cilët ishin propozuar nga shoqatat e të përndjekurve politikë dhe që u votuan nga deputetët e PD në Komisionin e Ligjeve”, thuhet në reagimin e PD. (A2 Televizion)