
Shqipëria është vendi më bujqësor në Rajon dhe Europë, por ne importojmë ushqime, më shumë se gjithë të tjerët. Ndonëse në shifra që pësojnë ulje-ngritje nga viti në vit, kontributi i agrikulturës në financat e prodhimin e përgjithshëm kombëtar, përllogaritet në 21.8 për qind, dyfish më shumë se Maqedonia e Veriut dhe 7 herë më e lartë se mesatarja e vendeve të Bashkimit Europian.
“Avantazhet krahasusese të bujqësisë janë natyrore dhe teknologjike. Ne jemi në pozicion gjeografik shumë të mirë, Shqipëria ndodhet në Mesdhe, kurse nga ana teknologjike, Shqipëria klasifikohet te vendet në zhvillim, ku për bujqësinë investohet pak, për të mos thënë aspak”, thotë eksperti Maksim Meço.
Megjithëse është vendi me peshën më të lartë të bujqësisë, Shqipëria ka varësinë më të lartë nga importi i ushqimeve se çdo shtet tjetër në Rajon e Europë. Vitin e shkuar u importuan 130 miliardë lekë ushqime, 3 herë më shumë nga sa u eksportuan. Referuar të dhënave të INSTAT, mbi 12 miliardë lekë, thënë ndryshe 10 për qind e totalit ishin importet e grurit.
“Pa u krijuar premisat që Shqipëria të identifikojë avantazhet. Nëse tërhiqemi nga dridhërat e qumështi ndaj Serbisë, cilat janë produktet që mund të penetrojnë në tregun serb”, shprehet eksperti për bujqësinë, Maksim Meço.
Po a mund të sheshohet ky hendek e të ulet varësia nga importi me politikat e ndjekura deri më tani?
Varësia e lartë nga importi e bëri Shqipërinë shumë të ekspozuar nga rritja e çmimeve pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Qytetarët janë duke paguar çmime, rreth 20 për qind më të shtrenjta. (A2 Televizion)