Prokuroria e Fierit ka mbyllur hetimet për vrasjen e dyfishtë në Kurjan të Roskovecit. Ngjarja ndodhi në shtator të vitit të kaluar, pranë një lokali në Kurjan, ku Altin Kuka dhe dy djemtë e tij, Emaurisio dhe Ervis, pas një sherri me djemtë e vëllezërve Ladimir dhe Gramoz Kurtaj, vranë këta të fundit me breshëri kallashnikovi.
Përveç tre të pandehurve Kuka, prokuroria ka ngritur akuzën për moskallëzim krimi për Tomorr Zykën, i cili u arrestua pas ngjarjes pasi ndihmoi djemtë e Altin Kukës të fshiheshin me qëllim arratisjen.
Gjithashtu dosja e prokurorisë dërguar për gjykim, ka përfshirë edhe babanë 80-vjeçar të Altin Kukës, Yzeir Kuka për armëmbajtje pa leje. Tre persona të tjerë janë akuzuar për veprën penale "Moskallëzim krimi".
Ngjarja sipas prokurorisë ka ndodhur pas sherrit mes djemve të Altin Kukës dhe vëllezërve Kurtaj. Nga njoftimi i prokurorisë mësohet dinamika e ngjarjes, ku sipas provave dhe dëshmive sherri i nisur nga të rinjtë, kishte përfunduar me të shtëna pistolete nga Ervis dhe Emaurisio Kuka ndaj djemve të viktimave por pa u shkaktuar lëndime këtyre të fundit.
Më pas vëllezërit Kuka janë larguar nga lokali ku nisën sherrin dhe u rikthyen me babain e tyre me kallashnikov në duar. Sipas prokurorisë, Altin Kuka ia ka marrë nga dora armën të birit Emaurisio dhe ka qëlluar drejt vëllezërve Kurtaj. Ngjarja ndodhi pranë dyqanit të vëllezërve Kurtaj në Kurjan. Familja Kuka zotëron një pulari në këtë zonë.
Pas vrasjes së vëllezërve Kurtaj, Altin Kuka deklaroi në polici se sherri kishte nisur fillimisht mes djemve të viktimave dhe një punonjësi në pularinë e familjes Kuka, që ndodhet pranë dyqanit të viktimave. Më pas Gramoz dhe Ladimir Kurtaj kanë takuar babanë e Altin Kukës për t’u sqaruar por sherri vazhdoi me djemtë e tyre dhe të Altinit.
Altin Kuka u vetëdeklarua fajtor pasi u vetëdorëzua ne polici duke rrëfyer edhe shkakun e krimit qe kreu. Djemtë e tij Emaurisio dhe Ervis u kapën më vonë teksa fshiheshin në një fshat fqinj. Familjet Kuka dhe Kurtaj kishin miqësi të vjetër. (A2 Televizion)