Prokuroria e Posaçme ka zbardhur rrëmbimin dhe vrasjen e Klevis Lleshit, në Burrel. Për ngjarjen e ndodhur 5 vite më parë, SPAK akuzon si urdhërues të rrëmbimit e më pas të vrasjes së të riut, shtetasin Aurel Hoxha.
Në ambientet e lokalit “Monopol”, që ndodhet në zonën e ‘Myslym Shyrit’ dhe është në pronësi të Hoxhës kanë zbarkuar mëngjesin e sotëm forca të shumta të FNSH-së dhe RENEA-s.
Në pamjet e siguruara nga A2 CNN, bie në sy se efektivët janë duke kryer kontrolle në ambientet e lokalit.
Sakaq përveç Aurel Hoxhës, SPAK ka ngritur dyshime edhe për tre persona të tjerë të përfshirë në ngjarje, për të cilët janë lëshuar po ashtu urdhër-arreste. Një nga katër urdhër-arrestet është ekzekutuar mbrëmjen e së enjtes.
Klevis Lleshi u zhduk pa lënë gjurmë në gusht të vitit 2020 dhe trupi i tij u gjet i groposur në fshatin Shpërdhet të Mamurrasit, më shumë se dy vite e gjysmë pas kontaktit të fundit që pati me familjen.
Disa mbetje kockore që u gjeten nga banorë të zonës disa muaj pas ngjarjes konkretisht në dhjetor të vitit 2020, pas ekspertizës së kryer nga Instituti i Policisë Shkencore, duke përdorur edhe ADN-në, rezultuan se i përkisnin të riut nga Mati.
I riu që në atë kohë ishte 21-vjeç dyshohet të jetë marrë peng në afërsi të Pallatit të Sportit në qytetin e Burrelit. Më pas ai është vrarë e groposur në Shpërdhet, fshat i cili ndodhet në një terren të thyer malor rreth 10 km larg qytetit të Mamurrasit. (A2 Televizion)