
Ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj pritej që në orën 16:00 të paraqitej në mbledhjen e Këshillit të Mandateve që do të vendosë për kërkesën e SPAK për arrestimin e tij.
Mbledhja zgjati për 4 orë, por Ahmetaj nuk u paraqit. Ai u përfaqësua nga mbrojtësit e tij ligjor, Ardian Visha dhe Henrik Ligori, me këtë të fundit që zbuloi se ish-zv/kryeministri ndodhet jashtë kufijve të Shqipërisë.
Ndërkohë përfaqësuesit e organit të akuzës janë pyetur nga kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi nëse Ahmetaj është larguar për në Kanada, pasi Prokuroria e Posaçme paraqiti në Kuvend kërkesën për arrestimin e tij.
Pyetjes së deputetit demokrat i është përgjigjur kreu i SPAK, Altin Dumani, duke thënë “nuk e dimë”.
Sakaq, mësohet se avokatët e Ahmetajt kanë parashtruar kërkesë për shtyerjen e mbledhjes për ditën e nesërme. (A2 Televizion)