
Arben Frroku arriti të bllokojë ekstradimin e tij drejt Shqipërisë, duke arritur kështu të fitojë një tjetër betejë ligjore. Gjykata e Apelit në Hagë refuzoi ekstradimin e tij në Shqipëri me argumentin se procesi në Shqipëri është zhvilluar nën ndikimin politik.
Është hera e parë që kjo gjykatë merr një vendim të tillë për një shtetas shqiptar. Vendimi është dhënë në favor të Arben Frrokut, i cili është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda për vrasjen e ish-kryekomisarit Dritan Lamaj.
Avokati i Frrokut, Tonin Prendi, në studion e A2 Debat, shpjegoi edhe arsyet e këtij vendimi. “Gjykata holandeze nuk e ka vlerësuar të besuar, vendimin e gjykatës shqiptare, pasi provat nuk janë konsideruar të besueshme”, tha Prendi.
“Për më tepër gjykata ka marrë në konsideratë faktin që atij nuk i sigurohet jeta në Shqipëri, pasi këtu konsiderohet fajtor. Përderisa është dënuar me burg përjetë në Shqipëri, edhe familjarët e të ndjerit e konsiderojnë përgjegjës për ngjarjen, edhe pse ai e ka mohuar përfshirjen e tij në të”. (A2 Televizion)