
Gjykata e Posaçme e Apelit ka vendosur të dënojë me 28 vite burg Erlis Dukën, si të përfshirë në ekzekutimin e Santiago Malkos rreth 7 vite më parë. Më herët, ai ishte shpallur i pafajshëm nga shkalla e parë, ku dënimi ishte dhënë për pesë persona të tjerë.
Leonard Duka, i njohur si kreu i grupit, u dënua me 30 vite burg për vrasjen dhe grupin kriminal. Katër të pandehurit e tjerë, Fatmir Hyseni (Musai), Aleksandër Maxhaku, Dritan Agaj dhe Oltjon Loga, u dënuan me nga 25 vite heqje lirie.
Për vrasjen e Santiago Malkos janë dënuar më parë, në një tjetër proces, Blendi Teta me 25 vite burg dhe Ilir Selmani me 26 vite burg.
Gjatë hetimeve, SPAK i konsideron dy vëllezërit si organizatorë të krimit.
Santiago Malko u qëllua për vdekje në Tiranë më 27 gusht 2019, në rrugën “Xhanfize Keko”, ku dyshohet se shkak ishte përplasja mes grupeve kriminale, por edhe trafiku.
Me vendimin e marrë këtë të mërkurë, për tetë të dënuarit është dhënë një total prej 211 vitesh burg. (A2 Televizion)