Ndryshimi i pushtetit në Serbi nuk ka sjellë ende qartësi për orientimin politik ndaj Bashkimit Evropian. Udhëheqja e re në Beograd mungoi në samitin BE-Ballkani Perëndimor këtë të mërkurë në Bruksel, duke lënë pa përgjigje disa nga çështjet më të ndjeshme në raportet mes palëve; sanksionet ndaj Rusisë dhe dialogun me Kosovën.
Serbia nuk pritet të nënshkruajë as deklaratën përfundimtare të samitit, e cila riafirmon përkushtimin ndaj vlerave evropiane dhe kundërshton rishikimin e historisë, si dhe glorifikimin e krimeve të luftës. Aleksandar Çupiç, kryetar i sapozgjedhur i Kuvendit të Serbisë dhe ushtrues detyre i presidentit, ishte i ftuar në samit, por deklaroi se nuk do të merrte pjesë për shkak të angazhimeve parlamentare.
Mungesa vjen në një periudhë të rëndësishme tranzicioni politik, pasi partia e Aleksandar Vuçiçit humbi pushtetin pas 14 vjetësh, ndërsa Lista Studentore siguroi shumicën parlamentare dhe pritet të formojë qeverinë e re.
Megjithatë, sfida kryesore për Brukselin mbetet qëndrimi i Serbisë ndaj politikës së jashtme evropiane, veçanërisht në raport me sanksionet kundër Rusisë.
Përfaqësues të Listës Studentore kanë shprehur mbështetje për përshpejtimin e integrimit evropian dhe reformat në drejtësi, sundimin e ligjit dhe lirinë e medias, por ende nuk kanë marrë një zotim të qartë për ndryshimin e qëndrimit ndaj Moskës.
Sipas një sondazhi të Eurobarometrit, të publikuar në maj, 67 për qind e qytetarëve serbë janë kundër sanksioneve ndaj Rusisë. (A2 Televizion)