Zakonisht babagjyshi shpërndan dhurata për fëmijët natën e Krishtlindjes, ose të ndërrimit të viteve... Por në Rusi, ai i bashkohet kadetëve të rinj të Gardës Kombëtare, të cilët stërviten në kushte ekstreme të motit në Siberi, për t’u bërë ushtarë të denjë të Rusisë.
Në fotot e publikuara nga Agjencia e Lajmeve Ruse, TASS, shihet sesi instruktorët e veshur si babagjyshë mësojnë ushtarët e vegjël si të qëllojnë me kallashnikovë.
Babagjyshi, ose Ded Moroz (Baba Dimri) siç njihet në Rusi, është një figurë e ngjashme me atë të Santa Claus, e cila i ka rrënjët në mitologjinë sllave. Zakonisht ai vishet me të kuqe, por edhe me blu ose të bardhë. Baba Dimri u bë popullor në epokën sovjetike - mbërriti për herë të parë në Moskë në vitin 1937, kur vendi udhëhiqej nga Joseph Stalin - dhe zakonisht shpërndan dhurata natën e ndërrimit të viteve, edhe jo për Krishtlindje, si në vendet Perëndimore. Për më tepër, Rusia, duke përdorur kalendarin Julian, në vend të atij Gregorian, e feston Krishtlindjen në 7 janar, dhe jo më 25 dhjetor.
Garda Kombëtare, që shpesh etiketohet nga kritikët si ushtria personale e Vladimir Putin, ka për detyrë të sigurojë kufirin e Rusisë si dhe lufton terrorizmin. Gjatë stërvitjes, instruktorët dhe ushtarët e rritur mbajtën armë të vërtetë, ndërsa më të vegjlit armë druri.
Stërvitja u zhvillua në Kemerovo, 3600 km larg Moskës, dhe 4300 km larg kufirit me Ukrainën, ku situata e tensionuar vijon prej muajsh tashmë dhe frika për një luftë frontale mes palëve sa vjen e rritet. Kievi dhe Perëndimi akuzojnë Rusinë se do të pushtojë Ukrainën, ndërsa Moska thotë se NATO nuk duhet të zgjerohet më në lindje, pasi kjo përbën kërcënim për sigurinë kombëtare të Rusisë. Javën e kaluar qeveria ruse dorëzoi zyrtarisht kërkesën ku kërkon që NATO të mos pranojë Ukrainën në radhët e saj dhe të tërheqë armatimet e rënda nga Europa Qendrore dhe Lindore. (A2 Televizion)