
Partia Socialiste i ka bërë sërish thirrje SPAK që të hetojë Sali Berishën. Në përfundim të mbledhjes së grupit parlamentar, kreu Taulant Balla deklaroi se parimi “drejtësi e vonuar, drejtësi e harruar”, do të vlente dhe në rastin e Sali Berishës, nëse SPAK nuk vepron në kohë.
“Kallëzimet me kompleksin Partizani, kallëzimet me OSSH janë çështje që duan përgjigje sa më të shpejtë nga prokuroria speciale antikorrupsion dhe nëse ato vonohen, parimi i drejtësisë së mohuar dhe të munguar është i njëjtë edhe për këtë rast. Përshëndes faktin që prokuroria po punon dhe t’i kërkoj shpejtësi në punën e vet. Në këto çështje që biem dakord janë çështje të rëndësishme të sfidës së drejtësisë shqiptare në përballje me personat e veshur me pushtet. Nga një shtet partner strategjik i Shqipërisë, Sali Berisha, është shpallur person i përfshirë në korrupsion në nivele të larta, dhe në Shqipëri kjo nuk shoqërohet me hetime më të thella, sepse e kam dëgjuar dje me vëmendje u deklarua që ka hetime për persona të lidhur me të për kompleksin Partizani dhe nuk dëgjova gjë për aferën e OSSH-CEZ dhe Gërdecin. Megjithatë, ne respektojmë tërësisht pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe SPAK-ut.” (A2 Televizion)