Sulmi kibernetik, opozita në Komisionin e Sigurisë kërkon informacion nga autoritetet

Nga A2 CNN
12 Shtator 2022, 14:09 | Politikë
Sulmi kibernetik, opozita në Komisionin e Sigurisë kërkon

Ministri i Brendshëm, kreu i shërbimit informativ dhe drejtoresha e AKSHIT do të thirren në një seancë dëgjimore në Komisionin e Sigurisë të Kuvendit për të dhënë informacion mbi sulmin kibernetik nga Irani. Mazhoranca aprovoi kërkesën e opozitës, qëndrimet e së cilës ishin kritike për mënyrën se si janë shpenzuar fondet për të garantuar sigurinë kibernetike.

Krerët e institucioneve përgjegjëse për sigurinë në vend do të thirren në seancë dëgjimore për të dhënë shpjegime mbi sulmin kibernetik nga Irani. Opozita paraqiti kërkesën në Komisionin parlamentar për Sigurinë Kombëtare, ku si shqetësim kishte nivelin e përgatitjes së shtetit shqiptar përballë të tilla situatash.

“Sipas Microsoft, një sulm i nisur që në maj të vitit 2021 dhe duhet parë sesa të ekspozuar dhe të paaftë jemi ne dhe ku mund të ndihmojmë edhe ne nëse duhet, që shteti shqiptar të mos kthehet në një hallë të dobët në aleancën euroatlantike”, u shpreh Salianji.

“Ne kemi kaluar në këtë komision kontrata me vlera të mëdha të cilat garantonin mbrojtjen nga sulmet dhe jepnin sigurinë kibernetike. Fakti që janë kontrata që kapin një shifër rreth 195 milionë euro dhe përsëri sistemi është i sulmueshëm, do të thotë që ka nevojë që të jepen shpjegime, ku shkuan, çfarë efekti dhanë, a mos u bënë rrush e kumbulla edhe këto para”, tha Noka.

Kryetari i Komisionit dha aprovimin për zhvillimin e seancës dëgjimore, duke kërkuar që politika të bëhet bashkë në të tilla raste.

“Bashkohemi me ju në lidhje me kërkesën e bërë. Të rakordojmë. Është një çështje sensitive për të gjithë, por nëse do të duhet të jemi ndonjëherë bashkë, kjo është dita për të marrë masat përkatëse për të adresuar këtë agresion”, tha Naço.

Sipas vendimit, në Komisionin e Sigurisë do të thirren të raportojë Ministri i Brendshëm, kreu i shërbimit informativ dhe drejtuesit e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos