
“E kam nisur karrierën në PS si një anëtar i thjeshtë 27 vite më parë, sa të kem forcën për t’u marrë me politikë unë jam një socialist”. Janë këto fjalët e kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla, që ka mohuar pakënaqësi të tij personale në raport me rolin e tij brenda mazhorancës, ku nuk mban më rolin e sekretarit të përgjithshëm.
“Kam dëgjuar e lexuar shumë fjalë dhe interpretime për mua këto ditë dhe sonte vendosa të them disa fjalë, të cilat i thashë paradite edhe në mbledhjen e sotme të Grupit Socialist në Kuvend. Sa të kem forcën për tu marrë me politikë unë jam një socialist, i cili e ka të shenjtë frymën e ekipit, të respektit dhe të disiplinës në familjen më të madhe politike të shqiptarëve”, deklaroi Balla përmes një postimi në profilin e tij në Facebook.
“E kam nisur karrierën në PS si një anëtar i thjeshtë 27 vite më parë dhe hap pas hapi kam marrë nga kjo parti dhe votuesit e saj aq shumë mbështetje, duke kulmuar më 25 Prill në qarkun e Elbasanit, nder që dua vetëm t’ia kthej çdo ditë me gjithë forcat e mia”, shtoi Balla.
Sipas kreut të grupit socialist, “nuk i kam dashur dhe nuk i dua kurrë ata që e harrojnë nga janë nisur dhe nuk shikojnë sa vite e sa punë ka akoma përpara. Përsëri prej sot në krye të Grupit Socialist në Kuvend, ku jam më i motivuar se kurrë dhe do të jem i pari që do bëj më shumë në këtë mandat të tretë me PS si shumicë parlamentare, prandaj mos habitet asnjë nga kolegët e mijë të grupit që do të kërkoj më shumë nga të gjithë në përmbushje të besimit që shqiptarët na kanë dhënë”. (A2 Televizion)