Rama në Kuvend: Asnjë lidhje me McGonigal, nuk bëhem më palë me marritë konspirative të opozitës

Nga A2 CNN
2 Mars 2023, 11:42 | Politikë
Rama në Kuvend: Asnjë lidhje me McGonigal, nuk bëhem më

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka qenë prezent sot në atë që cilësohet si seanca maratonë e Kuvendit për ngritjen e një komisioni hetimor për çështjen "McGonigal".

Sipas kryeministrit, “prej javësh në Shqipëri ka shpërthyer një kanal i ujërave të zeza, në një përpjekje për të shfrytëzuar politikisht një proces në SHBA që nuk ka asnjë lidhje me mua dhe as me shtetin shqiptar.

Rama radhiti shkurtimisht pikat e skandalit që ka përfshirë ish-zyrtarin e lartë të FBI. “ Ai akuzohet për bashkëpunim me oligarkun rus Oleg Deripaska. Gjatë hetimeve prokurorët kanë konstatuar një seri shkeljesh te ish-shefit të kundër inteligjencës ku ai ka vizituar edhe vendin tonë duke me takuar. Ai nuk ka regjistruar udhëtimet dhe ka marrë borxhe nga një shtetas shqiptar, i cilësuar si Personi A. Përmendet në aktakuzë edhe hetimi amerikan i parave ruse të PD-së, ku shënohet se Personi A ka marrë material lidhur me këtë çështje nga zyra ime. Procesi nuk ka asnjë të akuzuar tjetër përtej ish- zyrtarit të lartë Charles McGonigal, kaq janë faktet siç paraqiten në aktakuzë. Pavarësisht hetimit, ku unë kam marrë vesh vetëm kur ka dalë në media, kur një gazetar i Insider më ka pyetur rreth çështjes, nuk ka asnjë akuzë përveç raportimit korrekt të takimeve të mija me zyrtarin amerikan”, ishte rindërtimi i tij i përfshirjes në atë çështje.  

Më pas, Rama kalon në sulmin ndaj opozitës. “Fronti i prokurorisë mediatike-politike, po zhvillon një tjetër proces, këtu në Shqipëri. Po bëjnë një vetëgjyqësi të harbuar, që nuk ka nevojë për shpjegim. Janë po ata që kur ishin në pushtet, i kanë bërë të tërë të zezat për të cilat na akuzojnë. Nuk kam ardhur këtu për ta, por për respekt të zgjedhësve dhe deputetëve të shumicës, që nuk mund të lija vetëm për këtë mocion absurd, me absurdi i historisë të Kuvendit, një marri konspirative që prodhuesi i filmave të Hollivudit do ta refuzonin si një shthurje delirante të fantazisë njerëzore”.

Kryeministri nënvizoi se ai nuk do të jetë më i gatshëm të diskutojë mbi këtë me opozitën, duke përdorur doza të forta ironie. “E kam thënë se nuk do ta furnizojë më me energjinë time zjarrin e përditshme të politikës së përplasjes, nuk i shkoj pas avazit një opozite që përsërit vetëveten, fatkeqësisht jam përfshirë edhe unë asaj mase të errët që i ka huajtur njerëzve politiken, duke i bërë të mendojnë se të gjithë ne jemi një jashtëqitje masive e kombit, e ndarë përgjysmë. Flisni bërtitni, shpifni, shani, sajoni, protestoni sa të doni, por nderin e përballjes me mua, pa karar dhe orar, nuk do ta keni për ta pasur më. Mos u shkulni kurrë nga revolucionet tuaja imagjinare për rrëzimin tim, por mua nuk do të më keni më palë. Keni hyrë në vitin e 10-të kur më keni rrëzuar çdo vit, keni mbledhur 100-200 mijë njerëz 120 herë, 60 herë jam fshehur në malin e Dajtit, më keni mundur në zgjedhjet e 9 viteve të fundit, jam i bindur që kjo e 10-ta e 14 majit do të jetë fitorja juaj më e madhe. Më 14 maj, do të merrni jo vetëm Tiranën dhe Elbasanin, por edhe Vlorën edhe Uashingtonin”. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/03/02/te-permendet-emri-14-here-ne-aktakuze-rama-e-vertete-por-nuk-jane-14-akuza-ska-krim/
https://a2news.com/2023/03/02/rames-i-ka-hyre-lepuri-ne-bark-berisha-pa-u-pergjigjur-per-mcgonigal-vendi-do-te-kete-vetem-kaos/

A2 CNN Livestream

Latest Videos