
Pasi lexoi të gjitha herët në të cilat emri i tij përmendet në aktakuzën për çështjen McGonigal dhe argumentoi se janë raste të vërteta, por jo krime, kryeministri Edi Rama i ka bërë të ditur opozitës se më të do të takohen tashmë vetëm më 14 maj.
Në përfundim të fjalës së tij në seancën e sotme plenare ku në rend dite është vetëm mocioni me debat për çështjen McGonigal, Rama theksoi edhe një herë se në aktakuzë nuk ka asgjë “të qortueshme” për të, ministrat e tij apo shtetin shqiptar.
“Asgjë e hatashme, asgjë e qortueshme nuk thuhet në këtë aktakuzë. Ajo nuk thotë asgjë, zero, as për mua, as për qeverinë shqiptare as për këdo tjetër që ka takuar personi, as për shtetin shqiptar. Këtu tani, rrugët ndahen më shumë dhe më qartë se askund tjetër. Unë në punët e mia, ju në rrugët tuaja të revolucioneve...”
Siç la të kuptohet edhe më herët gjatë fjalës së tij, Rama nuk do të ketë më asnjë përballje me opozitën, përpos atyre që do të bëhen në kuadër të zgjedhjeve lokale në pranverë.
“Takohemi më 14 maj. Suksese në jetë, deri atëherë, kujdes se byrektorja vazhdon punën...”, tha Rama ndërsa mbyllja e fjalimit të tij u shoqërua me duartrokitje nga deputetët socialistë në sallë. (A2 Televizion)