Rama publikon videon e gruas që mposhti koronavirusin: Kjo nuk është lojë, të bëhemi roje të shëndetit

Nga A2 CNN
2 Maj 2020, 16:48 | Aktualitet
Rama publikon videon e gruas që mposhti koronavirusin: Kjo nuk

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në Facebook videon e një gruaje që sapo kishte fituar betejën me koronavirusin dhe po kthehej në banesë.

Gruaja tregon vështirësitë që ka kaluar së bashku me të shoqin për shkak të virusit vdekjeprurës dhe falënderon të gjithë stafin mjekësor për punën e bërë.

Përmes kësaj videoje, kreu i qeverisë i bën dhe njëherë thirrje qytetarëve dhe ata që deklarojnë se virusi nuk ekziston që të bëjnë kujdes pasi kjo nuk është një lojë dhe për këtë arsye gjithsecili duhet të ruajë shëndetin e vet dhe të njerëzve përreth.

Postimi i Kryeministrit Rama

“Nënë Engjëllushja, mund të ishte nëna e secilit prej nesh, e cila u kthye në jetë pasi pa vdekjen me sy në gjendjen e rëndë ku e futi Armiku i Padukshëm!

Prandaj ju lutem ta shohin e ta dëgjojnë, në radhë të parë ata këtu, që thonë virusi nuk ekziston dhe kërkojnë liri për t'u infektuar e për të infektuar, largqoftë, nënat e baballarët e tyre!

Në radhë të dytë, ta dëgjojnë ata që akoma nuk mësuan të respektojnë mjekët, infermierët dhe sistemin shëndetësor të transformuar rrënjësisht, e që nuk duan ta kuptojnë se mosozot po të kishte ardhur kjo flamë para ca vjetësh, këtu do ishte bërë kasaphanë.

Pastaj ta shohin e ta dëgjojnë këtë nënë edhe gjithë të tjerët, dhe ta mbledhim mendjen top të dashur miq, se kjo nuk është lojë dhe për ta fituar deri në fund këtë luftë, duhet të bëhemi secili prej nesh roje e shëndetit tonë e të atyre që kemi përreth.” (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos