
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, nënvizoi pas mbledhjes së qeverisë se nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë dhe biznesin e vogël. Në një deklaratë për mediat, lidhur me vendimet e qeverisë, Balluku theksoi se kjo do të garantohet përmes KESH-it, i cili duhet të furnizojë me të gjithë sasinë e nevojshme familjarët dhe biznesin e vogël.
“Nënvizoj faktin që nuk do të ketë rritje të energjisë elektrike për konsumatorët dhe biznesin e vogël, këtë do të vazhdojmë ta garantojmë. Sot, kemi vendosur një ndryshim për miratimin e kushteve për vendosjen e shërbimit publik ndaj të licensuarve gjatë gjendjes së emergjencës për përballimin edhe parandalimin e kësaj krize. Rëndësi ka koordinimi mes KESH dhe OSHEE për derregullimin e sektorit. KESH ka detyrimin e sektorit publik dhe duhet të furnizojë me të gjithë sasisë e nevojshme abonentët familjarë dhe biznesin e vogël. KESH detyrohet të prodhojë dhe dorëzojë pranë shpërndarësit 4.6 terravat sa është sasia që kërkohet në vit për familjarët dhe biznesin e vogël. Çmimi për ta do të mbetet i pandryshuar pasi detyrimi i këtij shërbimi i kalon KESH. Për të përmbushur këtë detyrim nevojitet marrja e masave shtesë nga KESH”.
Një tjetër akt i miratuar në mbledhjen e qeverisë konsolidimi i planifikimit financiar publik elektroenergjik që parashikon ndryshimet e disa indikatorëve të OSHEE që janë rishikuar në bazë të ngjarjeve nga prilli 2019 deri më sot.
“Akti i parë ka të bëjë me një ndryshim për miratimin e konsolidimit të planifikimit financiar publik elektroenergjik që parashikon ndryshimet e disa indikatorë të OSHEE-së që janë rishikuar në bazë të ngjarjeve nga prilli 2019 deri më sot, që kanë të bëjnë me tërmetin e 26 nëntorit, pandeminë dhe krizën energjetike. Të gjithë këto kanë sjellë rritje të konsumit dhe ulje të pagesave duke krijuar efekte negative, të cilët i kemi rishikuar dhe i kemi vënë në parametra realistë deri në 2026”. (A2 Televizion)