Banorët e “5 majit” dhe Laprakës, protesta zhvendoset tek ambasada amerikane dhe ajo e BE

Nga A2 CNN
3 Shkurt 2022, 17:33 | Aktualitet
Banorët e “5 majit” dhe Laprakës, protesta zhvendoset tek

Banorët e 5 majit, Laprakës dhe Paskuqanit u rikthyen para Parlamentit në protestë, duke akuzuar qeverinë dhe bashkinë e Tiranës se po i mashtrojnë me dokumente të paligjshme, duke ju referuar kontratës së ofruar për prishjen e banesave të tyre, që preken nga plani i ri zhvillimor i kryeqytetit.

Protestën e tyre banorët e vijuan para ambasadës amerikane, ku i drejtuan një thirrje ambasadores Yuri Kim. Një mesazh e kishin dhe për ambasadorin e BE-së, Luigi Soreca, poshtë zyrave të të cilit zhvendosën gjithashtu protestën e tyre. 

Thirrjes së banorëve për mbështetje, u ishte përgjigjur fillimisht Komisioni i Rithemelimit të PD. Ndërkohë që deputetët Noka, Këlliçi dhe Vokshi iu bashkuan protestës jashtë sallës plenare, Sali Berisha u doli në krah nga foltorja e Kuvendit.

Reagimi që protestuesit kërkonin nga qeveria, erdhi nga kryeministri Rama përmes komenteve në FB, por nuk ishte çfarë shpresonin të dëgjonin. 

“Unë besoj se tek “5 maji” të gjithëve u është dhënë haku që u takon dhe disave madje edhe më shumë sesa u takon, prandaj tani duhet vetëm durim dhe besim. Sepse njësoj siç po ndodh me të tërë ata që po përfitojnë nga Rindërtimi, do ndodhë edhe me ju atje”, shkroi Rama në një koment.

Banorët kanë paralajmëruar protesta, derisa kushtet e tyre të plotësohen, ndërsa shembjet në lagjen e “5 majit” do të vijojnë më datë 9 shkurt. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos