
Përballja e madhe midis Ateltico Madrid dhe Manchester United përfundoi me shije të hidhur për djemtë e Diego Simeone.
Spanjollët dominuan ndeshjen në stadiumin Wanda Metropolitano, por nuk arritën të shkonin përtej një barazimi 1-1, që nuk tregon diferencat në fushën e blertë.
Britanikët për pjesë të mirë të ndeshjes nuk arritën të kalonin mesfushën, me një Cristiano Ronaldo totalisht të izoluar dhe nervoz, që kapet edhe me arbitrin.
Stoli madrilen është plot me yje si Griezmann, Suarez dhe De Paul, por mjafton portugezi tjetër Joao Felix për të kaluar Atleticon në avantazh në minutën e 7-të, falë një goditje me kokë.
Në pjesën e dytë, spanjollët kapin një shtyllë me Llorente, dhe befasohen më pas me golin e 19- vjeçarit Elanga. Minutat e fundit janë emocionuese, me Griezmann që godet traversë dhe Manchester që sekondat e fundit mund të kalonte në avantazh.
Në ndeshjen tjetër, emocionuese, Ajax kalon dy herë në avantazh, por Benfica kap barazimin 2-2 , shumë i vlefshëm për kthimin në Lisbonë.
Protagonistët janë padyshim Haller, që shënon fillimisht autogol dhe më pas golin e avantazhit për holandezët, si dhe autori i barazimit Yaremchuck, me ukrainasin që jo rastësisht poshtë fanellës mbante simbolin kombëtar të Kievit, në një periudhe aq delikate për atë vend. (A2 Televizion)