Barça, luftë me kohën për të federuar blerjet, sigurohen 100 mln euro

Nga A2 CNN
12 Gusht 2022, 11:07 | Futboll
Barça, luftë me kohën për të federuar blerjet,

Barcelona është në garë me kohën për të regjistruar blerjet e reja të merkatos. Emra si Lewandowski, Raphinha, Kessie, Christensen apo Koundé, të afruar me shumë bujë, ende nuk janë federuar për të luajtur në Camp Nou. Problem mbeten financat e klubit dhe në situatën e krijuar, ekziston rreziku që të paktën lojtarët e afruar me parametër zero të largohen sërish pa kosto.

Për të ndihmuar klubin blaugrana në këtë moment të thellë krize, presidenti Laporta ka siguruar një tjetër fond me vlerë 100 milionë euro, duke shitur të tjera aksione të Barca Studios, kompanisë që krijon video të klubit për rrjetet sociale.

Te Barcelona janë optimistë dhe kanë dorëzuar dokumentacionin e lojtarëve në selinë e La Liga-s spanjolle. Objektivi është që federimet e lojtarëve të rinj të realizohen pak orë përpara startit të sezonit të ri, që nis me ndeshjen e kësaj të premteje ndërmjet Osasuna dhe Sevilla.

Për të lehtësuar regjistrimin do të shërbenin shitjet e disa lojtarëve. Në krye të listës së largimeve është Depay, për të cilin interesohen Juventus e Tottenham. Katalanasit do të kursenin në këtë mënyrë pagën 10 milionë euro.

Pasi refuzoi Manchester United, për de Jong tashmë është pista e Chelsea, ndërsa do të largohej edhe Braithwaite. Vetëm Aubameyang pritet të qëndrojë, sepse megjithë interesin nga Chelsea, lojtari është në planet e trajnerit Xavi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos