
Nëse pas 9 shtatorit kur Lulzim Basha pezulloi nga Grupi Parlamentar Sali Berishën, ngjarjet nuk do të kishin rrjedhur siç rrodhën, PD sot do të ishte më e fortë dhe mund të kishte provokuar edhe zhvillime të jashtëzakonshme politike. I këtij mendimi është Gazment Bardhi, i cili në “Intervistë” me Merita Haklajn u shpreh se ish kreu i demokratëve zgjodhi të tërhiqej në dobi të bashkimit të demokratëve.
I pyetur se përse, sipas tij, Lulzim Basha ka zgjedhur të heshtë për çdo gjë politike që ka lidhje me partinë që dikur udhëhiqte, deputeti demokrat tha se ish-kryetari ka zgjedhur të mos bëhet palë, duke marrë parasysh retorikën Sali Berishës.
“Ka zgjedhur këtë tërheqjen e tij, me objektiva të tij që unë s’kam pse ti di. Di të them që Basha, më 21 mars, i ka bërë një shërbim demokratëve, duke u tërhequr si një shenjë apo mundësi që demokratët të ishin bashkë. Nëse edhe Berisha do të ishte tërhequr gjithashtu, jam i bindur se kjo çarje e madhe brenda PD do të ishte shëruar për çështje ditësh apo muajsh,” shtoi Bardhi.
Por çdo të ndodhë me PD-në pas “14 Majit”?
Bardhi u shpreh optimist se do të ketë zgjedhje për një lidership të ri në mënyrë që PD të jetë një alternativë e besueshme për zgjedhjet e 2025-ës.
“Një zgjidhje që do ta çonte përpara PD. Do të ketë zgjedhje dhe një lidership të ri të PD, për të synuar forcimin e PD, dhe për ta bërë alternativë të besueshme qeverisëse në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme.” (A2 Televizion)