
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, në një deklaratë për mediat, dha detaje nga mbledhja që kreu i partisë, Lulzim Basha, zhvilloi me 71 krerët e degëve ditën e sotme.
“Patëm një diskutim të gjatë dhe shumë të mirë me kolegjin e kryetarëve të Partisë Demokratike, i cili përbëhet nga 71 kryetarët e degëve të partisë, mbi organizimin e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike në datën 18 dhjetor, ora 11, në Pallatin e Kongereseve. Dua të ndaj me ju frymën e lartë të bashkëpunimit që përcolli secili prej kryetarëve të degëve. Sigurisht që dua të jem transparent me ju dhe nëpërmjet jush me opinionin publik, me përjashtim të pesë kryetarëve të pesë degëve, të cilët raportuan për një shqetësim për degët që drejtonin. pra, 5 nga 71 kryetarë degësh, e gjithë pjesa tjetër e kryetarëve të degëve prezent në mbledhje, konfirmuan frymën e bashkimit që përcjell Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike i 18 dhjetorit 2021”, u shpreh Bardhi.
“18 dhjetori, Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike nuk është për të përjashtuar demokratët, është për t’i bërë gjithë demokratët bashkë në Kuvendin e tyre Kombëtar. Frymën e përçarjes dhe të ndarjes për fat të keq gjatë këtyre dy muajve e ka përcjellë zoti Berisha dhe qëndrimet të tij, kundër rregullave tona të bashkëjetesës që janë miratuar nga Kuvendi Kombëtar dhe që përbëjnë statutin e Partisë Demokratike”, shtoi Bardhi. (A2 Televizion)