Basha: Azilkërkuesit, katastrofë kombëtare që e ka origjinën te korrupsioni

Nga A2 CNN
25 Nëntor 2021, 13:33 | Politikë
Basha: Azilkërkuesit, katastrofë kombëtare që e ka

Lulzim Basha, kreu i Partisë Demokratike, tregoi në sallën e Parlamentit se numri i azilkërkuesve shqiptarë është më i larti në rajon.

“Kjo është fatkeqësia kombëtare përballë së cilës të gjithë ne ndodhemi, ky është imoraliteti politik që spikat këtë qeveri, e cila shqetësohet të sigurojë përfitimet e oligarkëve të saj dhe as nuk vë ujin në zjarr për pasigurinë ekonomike që veprimet dhe mosveprimet e saj shkaktojnë në ekonominë e familjeve dhe bizneseve të ndershme shqiptare. Prandaj, edhe në kohë izolimi relativ, për shkak të COVID-19, vijon largimi nga sytë këmbët të shqiptarëve, që sot janë sërish në krye të listës së azilkërkuesve në vendet e Bashkimit Europian, duke tejkaluar nivelet e parapandemisë”, tha Basha.

Më tej, kreu i PD-së foli me shifra: “Po ju sjell këtu vetëm shifrat e muajt gusht: 1432 azilkërkues nga Shqipëria; 381 azilkërkues nga Maqedonia e Veriut; 330 azilkërkues nga Serbia; 157 azilkërkues nga Bosnjë-Hercegovina; 148 azilkërkues nga Kosova; 21 azilkërkues nga Mali i Zi.
1432 shqiptarë që kërkojnë azil, një shifër më e lartë se shuma e të gjitha vendeve të tjera bashkë, janë barometri më i mirë, ndonëse shumë pikëllues, i cili mat me përpikëri rezultatin e punës suaj, e gjithçkaje të keqe i keni bërë këtij vendi, pasi përtej propagandës, largimi kaq masiv i qytetarëve të një vendi që pret të ulet në tryezën e parë të konferencës ndërqeveritare me Bashkimin Europian, tregon shumë për qeverisjen, apo më mirë për keqqeverisjen tuaj”.

Sipas Bashës, arsyeja e largimit të shqiptarëve nga vendi është korrupsioni: “Sepse është e ditur që me përjashtim të një lufte, një nga arsyet kryesore pse qytetarët e një vendi largohen është korrupsioni. Kjo katastrofë kombëtare, që vijon prej vitesh nën regjimin tuaj, e cila shpeshherë ka tejkaluar në raport me popullsinë, Sirinë dhe Irakun, tregon se emëruesi i përbashkët i problemeve kryesore të shqiptarëve është korrupsioni. Korrupsioni që e keni sofistikuar, e keni inkurajuar dhe e keni shndërruar në mjetin më vdekjeprurës për jetën politike dhe ekonomike të një vendi, në korrupsionin që kap shtetin. Korrupsionin që përhapet në çdo degë të qeverisjes. Korrupsionin që shndërrohet në një mur që ndan qytetarët nga të drejtat e tyre për të zhvilluar të lirë dhe në kushte të barabarta me gjithkënd, jetën e tyre, biznesin e tyre, potencialin e tyre krijues”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos