
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u shpreh në Kuvend se qeveria, në vend që të mbështesë prodhimin vendas, po e godet në të gjitha hallkat e zinxhirit të ekonomisë së ushqimit.
“Ndërsa këtu pseudomazhoranca bëhet gati të votojë symbyllur për mënyrën se si do të shpenzohen taksat e qytetarëve vitin e ardhshëm dhe ato në vijim, përfaqësuesit e fermerëve që përfaqësojnë 40% të të punësuarve në Shqipëri, kanë harxhuar para nga xhepat e tyre për të udhëtuar drejt Tiranës, që t’u dëgjohet zëri. Mos t'u shkelet sakrifica, mos t’u hidhet tutje mundi, t’u respektohet vështirësia që kanë për të bërë punën e tyre, për të nxjerrë bukën e gojës, për të shkolluar fëmijët, për t’i dhënë këtij vendi 20% të prodhimit të brendshëm bruto. Shifër kjo më e larta në rajon dhe në Europë, që tregon se sa peshë ka bujqësia në ekonominë tonë, e që vetëm për këtë arsye duhet të dëgjohen përpara se të ngrihen kartonat, me sytë e veshët mbyllur”, tha Basha.
“Janë njerëz që vetëm japin, vetëm kontribojnë, dhe në këmbim nuk marrin asgjë, krahasuar me kolegët e tyre në rajon, pa përfshirë fare Europën. Sepse arkat e shtetit që ata vetëm i mbushin me taksa të larta të dretjpërdrejta e të fshehura, ky kryeministër dhe ministrat e tij i zbrazin pa teklif. Aq të papërfillshëm janë këta qytetarë për ju, që gdhihen dhe ngrysen me shqetësimin e së nesërmes, me ankthin e konkurrueshmërisë së produkteve të tyre, me pamundësinë për t’u përballur me produktet e rajonit që subvencionohen shumë herë më shumë se këtu, saqë jo vetëm nuk i dëgjoni, por i ofendoni me teatrin që ngjallë krupën, ku përdorni edhe gaztorët e oborrit tuaj, që nginjen nga koncesionet dhe syshkeljet tuaj, që i kanë shndërruar në oligarkë arrogantë. Ata protestojnë sot, siç kanë protestuar me të drejtë çdo vit, që mos të gjenden përballë rrugës së vetme ku i çoni me shpërfilljen tuaj, te flakja e produkteve dhe largimi nga Shqipëria. Protestojnë sepse ndryshe nga sa përrallisni lart e poshtë, buxheti për bujqësinë për këtë vit, do të jetë më i ulët se i vitit të shkuar”, shtoi kreu i PD-së. (A2 Televizion)