
Me rikthimin e tij në politikën aktive, Lulzim Basha ka ashpërsuar gjuhën ndaj ish kryeministrit Sali Berisha. Ndonëse nuk e përmend me emër, Basha i drejtohet Berishës, si “individi që për hallet personale ndau Partinë Demokratike”. Kësisoj, shton se demokratët do të bashkohen mbi vlera duke lënë pas mendësinë konfliktuale.
“Me demokratët dhe qendrestarët e Partisë Demokratike të Dibrës diskutuam hapur mbi të gjitha çështjet që kërkojnë vendimmarrje të rëndësishme për të ardhmen e forcës sonë politike dhe të Shqipërisë.
Demokratët do të bashkohen përmes vlerave, duke lënë pas mendësinë konfliktuale dhe ndasitë artificiale të shkaktuara nga interesi personal i një individi që për hallin personal ndezi zjarrin e ndasisë brenda familjes tonë politike.
Që Partia Demokratike të kthehet pranë qytetarëve, të dëgjojë ata dhe të ofrojë një alternativë për problemet e tyre, duhet të shkëputet nga teatri shterp i politikës, që asgjë të mirë nuk sjellë për jetët e njerëzve”, sahkruan Basha.
Ai ka ripërsëritur 4 pikat e programit të tij, që përfshijnë lista të hapura, vetting të politikanëve, kufizim të mandatit të kryeministrit dhe garantimin e votës së diasporës
“Partia më e madhe e 14 majit ishte ajo e shumicës së heshtur që refuzoi të zgjedhë midis dy të këqijave. Ne duhet të shtrijmë dorën e bashkëpunimit ndaj kujtdo që është gati për të ndryshuar nga themelet sistemin politik, për të kthyer vendimmarrjen te qytetarët nëpërmjet listave të hapura, vetting-ut të politikanëve, kufizim të mandatit të kryeministrit dhe garantimin e votës së diasporës”, përfundon Ish kryedemokrati.
Në PD tashmë ka nisur një betejë burokracie nëse do duhet të zhvillohen zgjedhjet për kreun e ri të PD-së apo duhet të shtyhen në një moment të dytë. Kryesia është pro zgjedhjes së kryetarit të ri, e ndërsa mes deputetëve ka zëra se procesi duhet zgjedhor të nisë nga degët më pas në qendër. (A2 Televizion)