Kryetari i Partisë Demokratike ka zhvilluar këtë të diel një takim me pronarë të bizneseve të vogla në Tiranë. Basha theksoi rëndësinë që ka për ekonominë mbështetja e duhur për bizneset.
“Të gjitha shtetet, edhe Kosova po i vazhdon subvencionet ndaj biznesit, përndryshe do të zhytet gjithçka. Po u zhytët ju, u zhyt punësimi, u zhyt konsumi, pastaj ekonomia futet në një cikël që nuk e merr dot veten. Do të vazhdojmë të jemi zëri juaj dhe, së shpejti, edhe mbështetja juaj. Duhet patjetër të keni ndihmë nga shteti. Qoftë me anulimin e taksave, qoftë me mbështetjen për pagat. Këtë po bëjnë të gjithë. Ato lekë që kemi, duhet t’i çojmë në mbështetje të biznesit”, tha Basha.
“Mos u dorëzo, së shpejti do ta ndryshojmë. Lekët e taksave që paguani, do t’i merrni mbrapsht ju, jo oligarkët”, i tha Basha pronarit të një biznesi në njësinë 9 në Tiranë.
“Taksat në qiell, ndihma zero. Do ta ndryshojmë. Do të heqim edhe trarët e taksave, të çmimeve të larta e të energjisë e të naftës dhe do t‘ia heqim inspektorët nga qafa biznesit”, theksoi Basha. (A2 Televizion)