Marrëveshja me konsensus për Reformën Zgjedhore është vlerësuar nga presidenti Ilir Meta, i cili theksoi se pasojat për vendin do të ishin të mëdha nëse nuk do të ishte marrë dakordësia mes palëve.
“Mendoj se është hedhur një hap i rëndësishëm përpara, pasi kam parasysh se cilat do ishin pasojat nëse nuk do kishte marrëveshje midis palëve. Ndoshta ka shumë qytetarë që nuk janë shumë të lumtur, pasi kanë pritur ndryshime edhe më thelbësore, por sidoqoftë fakti që kemi një marrëveshje konsensuale është shumë pozitive, pasi do të kishte pasoja nëse do kishte një reformë të njëanshme zgjedhore”, tha presidenti Meta.
I pyetur nga gazetarët për akuzat për përfshirjen e një prej këshilltarëve të tij në një “fake news” në shtypin italian, Kreu i Shtetit u shpreh se ka çështje më të rëndësishme për t’u marrë.
“Nuk kam ndërmend të merrem me “fake news” as të mediave italiane e as atyre shqiptare, pasi kam çështje shumë më të rëndësishme për t’u marrë se sa fabrikime që kërkojnë të spostojnë vëmendjen nga gjërat më të rëndësishme që ka Shqipëria.
Deklaratat e Ilir Metës erdhën pas vizitës që bëri në kishën "Shën Mhillit" në Laç, ku presidenti e dekoroi këtë famulli me urdhrin "Nënë Tereza" për ndihmën që ka dhënë për pasojat e tërmetit dhe të Covid-19. (A2 Televizion)