
Nga takimi me demokratët e Kurbinit Lulzim Basha ishte i prerë me mbështetësit e Sali Berishës që ende nuk janë përjashtuar nga partia, duke u treguar se mungesa e distancimit çon vetëm në një rrugë.
“Ata që duan ta përçajnë Partinë Demokratike. Ata që duan ta shkatërrojnë e bëjnë për hesap të kreut të tiranisë së korrupsionit. Atyre do t’u themi ndal ose jashtë. Por shumica e diferencuar e cila qëndroi e diferencuar dhe në atë 8 janar të zi jashtë oborrit të PD, ata kanë akoma mundësi që t’i thërrasin mendjes”, tha Basha.
Qeverinë e Ramës e cilësoi si një regjim në koma dhe foli në emër të aleatëve ndërkombëtarë për të cilët tha se mbështesin kthimin e PD-së në pushtet.
“I keni dëgjuar qartë mesazhet e partnerëve ndërkombëtarë. Duan ta shohin PD, jo thjesht si një opozitë e fortë dhe e bashkuar, por duan dhe presin të jenë në krahun tonë kur PD të qeverisë vendin”, shtoi Basha.
Nismën e Ramës për konsultim kombëtar me qytetarët e krahasoi me ato të diktaturës së Enver Hoxhës. Në takim Basha shoqërohej nga Agron Gjekmarkaj dhe 3 deputetë te tjerë të PD-së në qarkun e Lezhës. (A2 Televizion)