PS shtyn Kongresin, zgjedhjet në 6 bashki, Rama: Jo luftë për jetë a vdekje

Nga A2 CNN
20 Janar 2022, 19:17 | Politikë
PS shtyn Kongresin, zgjedhjet në 6 bashki, Rama: Jo luftë për

Dekreti i presidentit për zgjedhjet vendore të pjesshme, ka ndikuar dhe në agjendën e Partisë Socialiste, e cila pas një mbledhje Kryesie shtyu për në muajin mars mbajtjen e Kongresin të planifikuar për javën e ardhshme.

Pavarësisht vendimit, kryeministri Rama foli me tone gati shpërfillëse ndaj garës elektorale në 6 bashki, ndonëse disa prej tyre janë ndër më të mëdhatë në vend. 

“Ne jemi PS-ja, jemi kampionët që gjithmonë hyjnë për të fituar dhe nuk kanë rezultat tjetër veç fitores. Në këtë rast, janë zgjedhje për komunitetet, nuk do të bëjmë luftë për jetë a vdekje, në kuptimin e një beteje që do të mbulojë ekranet. Sigurisht do t’u bëjmë hyzmetin e nevojshëm këtyre zgjedhjeve”, tha Rama.

Përballë pyetjeve të gazetarëve, kreu i qeverisë mohoi që kjo qasje të jetë për t’i lënë hapësirë opozitës, për të cilën thotë se mban të njëjtin qëndrim.

“Ne jemi njishat prandaj njëshi nuk hyn kurrë për t’u bërë dysh se i bie pastaj të përkulet. Opozita pastaj është në një proces agonie me dy kufoma”, shtoi Rama.

Duke folur për kandidatët e mundshëm të PS, Rama zbuloi se ata nuk do të jenë nga radhët e deputetëve, ndërsa i mbylli derën kujt mes socialistëve kërkon një shans të dytë pasi u dogj nga dekriminalizimi.

“Ndërsa PS nuk i jep askujt shans të dytë që e ka vënë në pozitë të vështirë duke gënjyer lidhur me një aspekt të jetës publike. Nuk ka shans të dytë për askënd që bën deklaratë të rreme”, tha kryeministri.

 
Para zgjedhjeve të 25 prillit Rama nuk hezitoi të bënte parashikime për rezultatin, por këtë, ndonëse përballë ka një opozitë më të përçarë e të dobët, refuzoi të deklaronte sa nga 6 bashkitë mendon se do të fitojë.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos