Basha për Berishën: S’bëhem pjesë e politikës së vjetër me baltosje! Do bëj opozitë të vërtetë

Nga A2 CNN
27 Maj 2023, 11:41 | Aktualitet
Basha për Berishën: S’bëhem pjesë e politikës

Lulzim Basha i është rikthyer jetës aktive politike, e kësaj herë nuk i ka kursyer akuzat dhe gjuhën e ashpër përkundrejt Sali Berishës. Në takimin që pati me një grup kontribuesish dhe qendrestarësh të PD-së në degën 2 në Tiranë, Basha ndonëse nuk përmendi me emër dhe mbiemër Sali Berishën, ai tha se refuzon që të bëhet pjesë e politikës së vjetër që riciklon gënjeshtrat dhe akuzat e pabaza.

Për Bashën, largimi i tij ishte pikërisht për këtë qëllim, por thekson se kjo nuk solli asgjë të mirë për demokratët. Madje, argumenton se tashmë situata është edhe më keq.

“Me shumë kënaqësi i’u përgjigja ftesës për një kafe nga një grup kontribuesish dhe qendrestarësh të PD-së në degën 2 në Tiranë. Zhvilluam një bisedë të hapur dhe të drejtpërdrejtë, ku i’u përgjigja pa asnjë hezitim pyetjeve, interesit dhe shqetësimeve të tyre dhe këtë do të bej me të gjithë pjesëtarët e familjes sonë politike.

Por unë nuk do të bëhem kurrë pjesë e baltosjes, edhe kur të vazhdojnë siç kanë rinisur me të njëjtat sulme, gënjeshtra e mashtrime. Sepse rruga që kalon përmes politikës së vjetër të baltës, akuzave dhe banalizimit të çdo debati publik na mban në vendnumëro dhe nuk mund të sjellë kurrë ndryshim për njerëzit.

Unë bëra një hap pas sepse nuk doja një luftë të brendshme, i bindur se prej saj përfitojnë vetëm kundërshtarët! Dhe ishte gjëja e duhur. Por ja ku jemi. Asgjë s’ka ndryshuar, madje situata është edhe më keq për demokratët dhe shqiptarët.

Prandaj e ndjej për detyre t’i përkushtoj energjitë e mija tek një opozitë e vërtetë në shërbim të njerëzve. Vetëm një alternativë e qartë, që ka në qendër hallet e qytetarëve dhe jo ato të politikanëve mund të sjellë ndryshimin e vërtetë”, shkruan Basha.

Ish-kryedemokrati, ndonëse nuk e ka artikuluar konkretisht, duket se po bëhet gati për të marrë sërish drejtimin e Partisë Demokratike, e cila që me ikjen e tij vijon të jetë në kërkim të një lideri të ri. (A2 Televizion)

https://a2news.com/video/basha-nis-fushaten-per-te-marre-kreun-e-pd-prezanton-platformen-me-3-shtylla-kryesore/

A2 CNN Livestream

Latest Videos