
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, reagoi pas lajmit të bërë publik pak më parë nga Ministria e Shëndetësisë, e cila rekomandoi që nga 1 dhjetori të nisë aplikimi i skenarëve që parashikojnë kryerjen e mësimit të alternuar në shkolla.
Kryedemokrati u shpreh se Rama tashmë e ka humbur kontrollin e pandemisë dhe nuk e di se çfarë bën, në një kohë kur një ditë më parë deklaroi se nuk ka arsye për mbylljen e shkollave.
“Dje, Rama deklaroi se nuk ka asnjë arsye për të mbyllur shkollat sepse "fëmijët nuk të infektojnë me koronavirus". Ndërsa sot shpalli mbylljen e pjesshme të shkollave. Rama e ka humbur kontrollin ndaj pandemisë dhe as që ia ka idenë se çfarë duhet bërë. Rama nuk ka asnjë plan. Dhe pa plan, nuk mund ta fitosh luftën kundër pandemisë.
Shqipëria ka nevojë për një qeveri që punon dhe merr vendimet e duhura për njerëzit, jo për qeverinë Rama që çfarë thotë sot, nuk thotë nesër”, shkruan Basha. (A2 Televizion)