
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha kishte zgjedhur një mënyrë ndryshe për të vijuar fushatën elektorale të 25 prillit, duke marrë pjesë në një piknik me të rinjtë e qytetit të Elbasanit.
Nga kodrat e Krastës, kreu i demokratëve, Basha premtoi më shumë vëmendje ndaj të rinjve kur të jetë në qeveri dhe u zotua se do të rikthejë ekonominë të jetë funksionale.
“25 prilli është dita e fitores për Elbasanin dhe për gjithë Shqipërinë. Tuneli dhe rruga e Elbasanit e transformoi këtë zonë. Rruga që ndërtuam ne e bëri Tiranën dhe Elbasanin një. Tirana me Elbasanin janë dy qytetet më afër me njëri-tjetrin. Kur flisnim për tunelin e Kërrabës shumë njerëz ishin skeptike dhe thonin që nuk do të bëhet. Për të rinjtë e kam një premtim do të ndërtojmë një nga kampuset më të moderne universitare.
Duam t’i japim rinisë shqiptare të njëjtat mundësi si rinisë europiane. Europa ka caktuar miliona euro për trajnimin e të rinjve dhe Shqipëria nuk ka përfituar asgjë për shkak të kësaj qeverie. Ekonomia do të zgjohet nga letargjia 8-vjeçare. Ajo do të fillojë të funksionojë për të gjithë. Deri në 25 prill kam nevojë për ndihmën dhe energjinë tuaj. (A2 Televizion)