
Kryeministri Edi Rama është ndalur këtë të shtunë në Shijak, ku po vijon procesi i vaksinimit të mësuesve, ndërkohë që njoftoi se nga nesër nis vaksinimi masiv për personat mbi 70 vjeç. I shoqëruar edhe nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, ai vizitoi në një nga qendrat e vaksinimit, në Shijak.
Më pas, Kryeministri Rama, i shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë së Shijakut, Elton Arbana u njoh nga afër me investimet e kryera në zonë dhe me punimet e zhvilluar në kuadër të procesit të rindërtimit, ku vizitoi shtëpitë individuale të rindërtuara, pas u shkatërruan nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit.
“Kemi mbaruar edhe me rikonstruksionin e pallateve. Janë rikonstruktuar të gjithë pallatet në qendër dhe falë rikonstruktimit tani gjithë bizneset janë të hapura. Në të gjithë qytetin e Shijakut ka nisur procesi i rindërtimit të 30 pallateve dhe shumica e tyre janë në katin e parë të dytë dhe të tretë. Brenda muajit gusht, shumica prej tyre do të jetë e përfunduar dhe një pjesë tjetër në muajin tetor, nëntor” - informoi kryebashkiaku Arbana. (A2 Televizion)