
“Bashkë me Partinë Demokratike, do rishikohet legjislacioni mbi pronën duke nisur me anulimin e ligjit aktual”. Ky është premtimi i kreut të Partisë Republikane, Fatmir Mediu, gjatë një takimi të zhvilluar me biznese dhe banorë të Njësisë nr.5, si kandidat i koalicionit “Aleanca për Ndryshim”.
Ai trajtoi veçanërisht çështjen e pronave, që cilëson ende si plagë për shoqërinë shqiptare.
“Janë mbi 8 mijë të vrarë nga çështja e pronës private, probleme akoma të pazgjidhura, për shkak të interesave korruptive elektorale dhe kriminale, të grupeve të cilat lidhen me shtetin për t`i vjedhur pronën pronarëve dhe të shtetarëve të cilët në mënyrë të vazhdueshme e shikojnë pronën e pronarëve sikur të jetë prona e tyre”, deklaroi ai.
Sipas Mediut, “bashkë me Partinë Demokratike, do rishikohet legjislacioni mbi pronën duke nisur me: Anulimin e ligjit aktual, i cili i trajton pronarët në mënyrë tërësisht të disfavorshme dhe kompensimi njeh vlerën e tregut të vitit 1945, duke mos i njohur atë që shteti ua shfrytëzoi për 45 vjet edhe për këto 30 vite, vlerësime të drejta të vendimeve të drejta të Gjykatës së Strasburgut për kthimin dhe kompensimin e pronës private, kthimin fizik të pronës private atje ku është toka e lirë, në mënyrë të pa diskutueshme dhe për më tej pastaj kompensimin me vlerën e tregut”. (A2 Televizion)