
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka prezantuar ditën e mërkurë programin e tij për energjinë elektrike.
Gjatë fjalës së tij, Basha u angazhua se me të marrë pushtetin do të ulë faturën e energjisë elektrike për 70% të familjeve shqiptare si dhe do të liberalizojë tregun në këtë sektor.
“Ne do të ulim faturën e energjisë elektrike për 70% të familjeve shqiptare duke ngritur një sistem faturimi me dy fasha dhe duke ulur çmimin e energjisë për ata që konsumojnë deri në 300 kv/orë në muaj.
Ne do të liberalizojmë tregun e energjisë elektrike, duke u dhënë konsumatorëve mundësinë të zgjedhin vetë se te cili operator do ta blejnë energjinë. Në funksion të kësaj, angazhimi ynë kyç është ngritja e bursës së energjisë.
Biznesi do të furnizohet më lirë dhe më mirë, duke rritur kështu konkurrueshmërinë e tij dhe mundësitë për të gjeneruar punësim”, tha Basha.
Gjithashtu, kryedemokrati premtoi bashkimin e tregjeve të energjisë me Kosovën. (A2 Televizion)