
Reforma e Kushtetutës, ishte një nga pikët që u cekën nga lideri i opozitës Lulzim Basha. Ndryshimet kushtetuese janë gjithmonë një proces delikat, që në kontekstin shqiptar mund të trembin edhe komunitetin ndërkombëtar, edhe pse vetë Basha foli për konsensus.
Për Gledis Gjipalin, drejtorin e Lëvizjes Europiane në Shqipëri, deklarata e Bashës ishte e hapur, dhe linte vende për diskutime.
“Nuk kishte një specifikim se cila pjesë e Kushtetutës ky subjekt dëshiron të ndryshojë dhe përse, janë deklarata të pritshme por që nuk tregojnë shumë për qeverisjen e ardhshme. Nëse do të hapet një diskutim i tillë, të paktën disa piketa kryesore duhet të jenë të qarta për votuesit e kësaj force politike”.
Ndërkohë, analisti Gjergji Vurmo i IDM Albania mendon se deklarata e Bashës ishte konkrete. “Megjithatë, deklarata e tij flet për një qasje me konsensus jo vetëm ndërpartiak, por të të gjithë grupeve të interesit, nuk do të jetë një proces që do të ndodhë brenda një nate. Politika duhet të mësohet të kërkojë konsensusin, të ç ’tensionojë klimën politike dhe, për çështje që kanë rendësi si Kushtetuta, të kërkojë konsensus mbarëshoqëror”, tha ai gjatë emisionit “Absolut 4”.
Ndërkohë Alba Çela, e Institutit për Kërkime Ndërkombëtare, gjeti një detaj konkret të propozimit të Bashës. “U dha një piketë konkrete, kufizimi i mandatit të kryeministrit në dy herë, që është detaj interesant dhe konkret, pavarësisht sesi mund të arrihet kjo”, ishin fjalët e saj. (A2 Televizion)