Basha: Qeveria të mbulojë të paktën pagën minimale për fasonët dhe biznesin e vogël

Nga A2 CNN
19 Mars 2020, 11:15 | Politikë

Partia Demokratike ka përllogaritur koston që do të kishte kompensimi i të vetëpunësuarve nga qeveria për biznesin e vogël, fasonët dhe operatorët turistikë, që sipas saj, është plotësisht i përballueshëm nga qeveria.

Për të vetëpunësuarit në biznesin e vogël, qeveria t’ju paguajë 300 euro për çdo muaj që biznesi qëndron mbyllur, me një total prej  20 – 25 milionë Euro/muaj, thotë Basha.

“Për punonjësit në bizneset fasonë, call centers, dhe operatorë turistikë që janë të detyruar të rrinë në shtëpi qeveria duhet të mbulojë të paktën pagën minimale kur ata nuk mund të paguhen fare me një kosto totale deri 30 milionë euro/muaj”

PD-ja thotë se këto janë shpenzime plotësisht të përballueshme për buxhetin kur vetëm një kilometër rrugë e tenderuar kushton 20 milionë dollarë.

Edhe pas këtij postimi të Bashës, Edi Rama ka reaguar me të njëjtën mënyrë, duke e nisur me “plani 7x7=42”, po ashtu si edhe në reagime e tjera ndaj kreut demokrat.

“Plani 7x7=42 është zgjuar sot me rritje të shifrave! Deri kur të mbarojë lufta shifrat do kapin nivelin e një vendi të G7-ës! Pritet shifra e parashikuar nga Plani për aktorët e Portokallisë, meqë janë mbyllur në shtëpi ndërkohë që po u bëhet konkurencë e pandershme nga 7x7=42!” (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos