
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka shprehur pakënaqësinë e tij ndaj Shteteve të Bashkuara dhe ka vënë në pikëpyetje marrëdhënien mes presidentit amerikan Donald Trump dhe homologut të tij rus, Vladimir Putin.
Në një intervistë për BBC-në, Zelensky komentoi një fotografi të publikuar të shtunën nga Trump në rrjetin social Truth Social, ku dy liderët shfaqen duke u përqafuar. Krahas fotos, presidenti amerikan i ishte referuar Putinit si “miku im”.
I pyetur për këtë marrëdhënie, Zelensky e cilësoi atë si të çuditshme, duke theksuar se Putin nuk mund të konsiderohet mik për shkak të agresionit rus ndaj Ukrainës.
“Sigurisht, është në dorën e presidentit të Shteteve të Bashkuara, por... është e çuditshme. Ai është agresor dhe vrasës. Nuk mund të jetë mik. Thjesht nuk mundet”, deklaroi Zelensky. (A2 Televizion)