Basha, thirrje qytetarëve: Tregohuni bashkëpunues me stafet mjekësore, tregoni historikun e udhëtimeve

Nga A2 CNN
13 Mars 2020, 17:41 | Aktualitet
Basha, thirrje qytetarëve: Tregohuni bashkëpunues me stafet

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve që të tregohen bashkëpunues me mjekët dhe të tregojnë historikun e udhëtimeve dhe kontaktet që mund të kenë pasur me persona të prekur nga koronavirusi.

“Nisur nga rasti i fundit, ku fatkeqësisht, edhe një mjek i spitalit të Durrësit rezulton mes të prekurve nga Covid-19, u bëj thirrje qytetarëve të tregohen maksimalisht bashkëpunues me stafet mjekësore. Të tregojnë në mënyrë të detajuar shqetësimin e tyre, historikun e udhëtimeve apo kontaktin që mund të kenë pasur me persona të prekur nga Covid 19. Në këtë mënyrë do të ndihmoni veten dhe nuk do të rrezikoni shëndetin e mjekëve, të cilët janë mburoja jonë, mburoja e çdo qytetari në këtë situatë. Mos neglizhoni asnjë detaj”, shkruan Basha në Facebook.

Më tej, Basha kishte një thirrje edhe për qeverinë: “I bëj thirrje qeverisë të marrë masa të menjëhershme për personelin shëndetësor parësor. Ata janë të ekspozuar ndaj personave mbartës potencialë të Covid 19, por që, për shkak të shenjave joshqetësuese, mund ta neglizhojnë këtë fakt e të drejtohen tek qendrat shëndetësore apo spitalet rajonale. Autoritetet duhet të pajisin të gjithë personelin e dedikuar për raste të tilla me veshjet dhe mjetet e posaçme mbrojtëse. Përhapja e virusit, zgjerimi i vatrave të tij është një rrezik potencial, të cilit i duhet paraprirë”.

Në fund, Basha bëri thirrje edhe që qytetarët të qëndrojnë në shtëpi: “Thirrja ime është për të gjithë qytetarët: E di që shumë prej jush nuk janë mësuar të rrinë mbyllur apo kanë kushte jo të përshtatshme. Shumë të tjerë kanë nevojë të punojnë për të çuar bukën e përditshme në shtëpi, por asgjë nuk vlen më shumë sesa jeta. Me qëndrimin në shtëpi mbroni veten, familjen, miqtë dhe të afërmit. Nga sakrificat e sotme varet jeta, shëndeti, e sotmja dhe e nesërmja jonë. Mbi të gjitha, duke kontribuar në mospërhapjen e shpejtë të virusit, ne bëjmë pjesën tonë si qytetarë për ruajtjen e sistemit shëndetësor nga kolapsi. Sa më të pakujdesshëm sot, aq më shumë do të zgjasë kjo situatë, e cila ka pasoja të drejtpërdrejta në shëndetin dhe në ekonominë e secilit prej nesh”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos