
Policia e Shtetit ka reaguar për një ngjarje të ndodhur këtë të martë në aksin rrugor rural Miliska-Dardhë, në vendin e quajtur “Lumi i Mziut”, në Fierzë.
Fillimisht, koalicioni “Bashkë Fitojmë” denoncoi ngjarjen se një aktivist i tyre është dhunuar nga disa funksionarë të lartë të Partisë Socialiste. Ndërkohë, Policia e Shtetit thotë në një njoftim zyrtar se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti të çastit.
“Policia ka marrë njoftim se në aksin rrugor rural Miliska-Dardhë, në vendin e quajtur “Lumi i Mziut”, kishte ndodhur një konflikt mes disa shtetasve.
Nga deklarimi i dhënë nga shtetasi B. N., (i dëmtuar), dyshohet se:
Shtetasi V. M., së bashku me djalin e tij, shtetasin R. M., dhe shtetasin S. S., banues në fshatin Fierzë, gjatë një konflikti të çastit, për motive të dobëta, dyshohet se kanë goditur me grushte dhe me sende të forta, shtetasin B. N.
Shtetasi B. N., si pasojë e konfliktit është dëmtuar lehtë, dhe pas ndihmës mjekësore në Spitalin Rajonal Shkodër, ka dhënë deklarim në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër.
Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Pukë, autorët e dyshuar, shtetasit V. M., R. M., dhe S. S., dhe nën drejtimin e Prokurorisë po kryhen veprime procedurale.
Vijojnë veprimet hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, njofton policia. (A2 Televizion)