Bashkëshortja e John Travolta, Kelly Preston, u nda nga jeta në moshën 57-vjeçari, pasi humbi betejën me kancerin e gjirit. Lajmin e konfirmoi vetë ylli i Hollivudit, përmes një postimi në Facebook.
“Zemërthyer, ju informoj që bashkëshortja ime e bukur Kelly humbi betejën dyvjeçare. Ajo luftoi me guxim, me dashurinë dhe mbështetjen e shumë njerëzve. Familja ime do t’i jetë përherë mirënjohëse mjekëve dhe infermierëve që e ndihmuan, si edhe miqve e të dashurve tanë që na qëndruan pranë. Jeta dhe dashuria e saj do të mbahen mend gjithmonë. Do të marr ca kohë për të qëndruar pranë fëmijëve që humbën nënën e tyre, kështu që do të më falni nëse nuk dëgjoni gjë prej meje për ca kohë”, shkroi aktori në Facebook.
Çifti kishin dy fëmijë, 20-vjeçaren Ella dhe 9-vjeçarin Benjamin. Në vitin 2009, fëmija i tyre i tretë, Jett, në atë kohë 16 vjeç, humbi jetën ndërsa familja ishte me pushime në Bahamas.
Kelly, gjithashtu aktore në Hollivud, ka luajtur në disa filma të famshëm dhe seriale televizive. (A2 Televizion)