
Ndërtesa historike, pjesë e Sarajeve të dikurshme të familjes Toptani, nga sot janë pronë e Bashkisë së Tiranës.
Lajmin e shpërndau vetë kryetari i Bashkisë, Erjon Veliaj, i cili, krahas dokumentacionit tashmë të firmosur ku deklaruar se godina që është monument kulture, dhe që pak muaj më parë u rrezikua nga një tentativë zjarrvënie ende nën hetim, do të jetë “muze i qytetit që do të evokojë traditën, si edhe historinë diplomatike”.
Në dokumentin e vendimit të Këshillit të Ministrave, shprehet se godina karakteristike, një nga dëshmitë e fundit dhe më interesant të stilit arkitektonik osman në kryeqytet, do të shndërrohet në Muzeun Etnografik të Tiranës.
Sarajet janë ndërtuar rreth viteve 1833-1840 dhe janë një nga të paktat saraje feudalësh të ruajtura në qytetet e Shqipërisë. Ato përbëhen nga 32 ambiente në stilin oriental, të zbukuruara me dekoracione të ndryshme.
Sarajet përbëjnë një kompleks arkitektonik me mure, oborre, puse, rrugë, porta të mëdha, banesa dhe ambiente ndihmëse. Këto ndërtime, karakteristike për shtresën e feudalëve, u përhapën nga gjysma e dytë e shek. XIX në trevën e Tiranës. (A2 Televizion)