Bashkimi i PD për zgjedhjet vendore, nis takimi Paloka-Bardhi

Nga A2 CNN
18 Tetor 2022, 11:21 | Politikë

Pasi u mandatuan nga të dyja grupimet në PD, Edi Paloka dhe Gazmend Bardhi nisën, këtë të martë, për të biseduar mbi modalitetet se si PD-ja të bashkohet për të dalë me një kandidaturë të vetme në zgjedhjet vendore të 2023. Paloka dhe Bardhi kanë zgjedhur të takohen në një kafe përballë Parlamentit.

Një ditë para zhvillimit të negociatave, Berisha thirri në selinë blu drejtuesit politikë të qarqeve të cilët para mbledhjes rinovuan thirrjet drejtuar palës tjetër për të lënë mënjanë ndasitë. Mes tyre, Luan Baçi u shpreh i gatshëm për të sakrifikuar spaletat politike si i pari i qarkut të Fierit, duke i lëshuar poltronën Enkelejd Alibeajt. “Baza është e gjitha bashkë dhe duan që të bisedojnë, negociojnë, pavarësisht skepticizmit tim që e kam shprehur se nuk kam besim te z. Bardhi. Jam i gatshëm me z. Alibeaj dhe të gjithë deputetët e tjerë të Fierit të dalim në bazë. Baza me zor e pret. Madje do ia lija vendin tim si drejtues qarku, vetëm të vinte” deklaroi Baçi.

https://a2news.com/2022/10/17/te-marten-takimi-paloka-bardhi-deputetet-apelojne-per-bashkim/

Për drejtuesen e qarkut Lezhë, Jozefina Topalli dhe atë të Korçës Edmond Spaho bashkimi mes deputetëve është e vetmja mënyrë për të sjellë partinë në pushtet. Këtij mendimi iu bashkua edhe kryetari i bashkisë Shkodër, Bardh Spahia. “Duhet me gjet mënyrat që të bëhemi bashkë sepse është e rëndësishme për të ndryshuar situatën në vend”, deklaroi Topalli. “I vetmi ngërç në PD është grupi parlamentar i cili duhet të kalohet për këto zgjedhje dhe kjo bëhet vetëm me bisedime, baza është gati për primare”, shtoi Spahia. “Ne kemi thënë vazhdimisht që dyert e PD-së janë të hapur për çdo demokrat që vendos t’i bashkohet shumicës”, theksoi Spahia.

Në pritje të nisjes së bisedimeve mes dy grupimeve, deputetët e PD u shfaqën së bashku në dyert e Gjykatës së Apelit, në mbështetje të kolegut Ervin Salianji. Në rrjetet sociale, Xhelal Mziu komentoi ngjarjen si nisjen e bashkimit mes demokratëve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos