PS tërheq konsensusin, "hapja e dosjeve" pa dakordësi drejt seancës plenare

Nga A2 CNN
17 Tetor 2022, 21:25 | Politikë
PS tërheq konsensusin, "hapja e dosjeve" pa dakordësi drejt

Dakordësia ndërmjet socialistëve dhe demokratëve për ligjet e dekomunistizimit zgjati vetëm një javë. Konsensusi i arritur në parim për hapjen e arkivës së ish-sigurimit të shtetit ra poshtë gjatë shqyrtimit nen për nen të mënyrës se si qytetarët do të aksesojnë këto dokumente.

Sipas demokratëve, çdo person duhet të të marrë kopje të dosjeve të ish-sigurimit, ndërsa për socialistët duhet të ketë filtra ligjore. Filtra të cilët për Enkelejd Alibeajn u konsideruan si mekanizma presioni politik.

Alibeaj deklaroi se "do të ngelet gjithmonë e më tepër që është metastaza më e keqe e sigurimit të shtetit, shantazhi që përdoret nga dikush për interesa politike".

 “Ne themi që duhet të jemi pak më të rezervuar, kurse ju doni që dosja të bëhet si Facebook, të hyjë kush të dojë dhe ta hapi etj., etj. Ne zotëri po flasim për fate njerëzish nuk po flasim për shalë kali që ka mbetur nga koha e komunizmit”, u përgjigj ish-kryeministri Pandeli Majko.

Debati ndërmjet Majkos dhe Alibeajt kaloi nga argumente në akuza ndaj njëri-tjetrit, nga “Ik ore, po na bën ti tani...na vjen këtu e na diskuton si adoleshent” e Majkos  te “kokrra e komunistit” nga Alibeaj. Ngritja e toneve të zërit bëri që mbledhja të ndërpritej disa herë, ku më e gjata ishte ajo pas largimit të demokratëve në shenjë demonstrative.

Për efekt kuorumi, vendin e demokratëve e morën disa deputetë socialistë zëvendësues dhe me rifillimin e mbledhjes mazhoranca miratoi të gjitha amendamentet ligjore, si për deklasifikimin e arkivës së ish-regjimit komunist, ashtu edhe për mënyrën se si qytetarët do të mund të kenë akses në to.

Në përpjekje për t’iu afruar qasjes së demokratëve, në variantin final, PS vendosi që krahas vuajtësve të dënimeve politike, dosjet të mund t’i aksesojnë të plota edhe qytetarë të tjerë, por vetëm për qëllime studimore.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos